Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh ngushëllimi për humbjen e diplomatit të shquar Henry Kissinger.

Në tekstin e tij, kryeministri shkruan se shkrimet e ish-sekretarit amerikan, do t’i mbeten njerëzimit si një pasuri e paçmueshme.

Ndër të tjera, ai zgjedh që ta falenderojë për kohën që Kissinger i ka kushtuar, duke i dhuruar siç thotë ai “një ndër bisedat më të bukura.”

Mesazhi i kryeministrit Rama:

LAMTUMIRË BOS💔

Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.