Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vdekjen e gazetarit të shquar sportiv të Radio Tiranës, Aleko Gjergos.
Në një mesazh ngushëllimi në Facebook, Meta shkruan se Gjergo është një ikonë e pazëvendësueshme, me të cilin ndan kujtimet më të mira si një prej bashkëpunëtorëve të emisionit sportiv më të ndjekur në vitet ’90 ‘’Nga njëra ndeshje, në tjetrën’’.
STATUSI I PLOTË
Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar sportiv, Aleko Gjergo, mjeshtrit të radiokronikës dhe komunikimit publik, një ndër ikonat e pazëvendësushme të Radio Tiranës, njeriut fisnik e intelektualit aktiv, autor i disa librave dhe përkthimeve.
Kam kujtimet më të mira dhe vlerësimet më të larta për personalitetin e tij të veçantë, edhe si një prej bashkëpunëtorëve të emisionit më të ndjekur sportiv radifonik të viteve ’90 “Nga njëra ndeshje, në tjetrën”.
Transmetimet e Aleko Gjergos, përbëjnë një trashëgimi të pasur të fondit të artë të radiokronikës shqiptare, aq e vlefshme për brezat e rinj të gazetarëve sportivë.
Duke ndarë dhimbjen e madhe me familjen Gjergo në këto momente tepër të vështira, u shpreh ngushëllimet më të ndjera atyre, gjithë të afërmve, dashamirësve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
I paharruar kujtimi yt Aleko Gjergo!





