Ndahet nga jeta mjeku i spitalit të Durrësit, Skënder Hyka. Doktori mbylli sytë në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një përvojë të gjatë në mjekësinë e Obstetër- Gjinekologjisë.

“Doktori i cili ka përshëndetur për herë të parë kushedi sa bebe të sapoardhura në jetë, mishëronte njeriun human dhe profesionistin e respektuar nga të gjithë”, shkruan në një reagim “Urdhri i Mjekut Durrës” në faqen zyrtare në Facebook teksa i jep lamtumirën kolegut Hyka.

“Mjeku i ri, i rritur me ujin e bjeshkëve të Tropojës, mbaron Fakultetin e Mjekesisë me rezultate të larta e më pas filloi profesionin e bukur të mjekut, fillimisht në rrethin e Tropojës.
Pas specializimit në shërbimin e Obstetrikë – Gjinekologjisë, ai punoi në spitalin e Durrësit si mjek specialist dhe Shef i Sherbimit Obstetrik deri sa del në pension.
Doktor Skënder Hyka gjatë gjithë karrierës së tij tregoi profesionalizëm, kulturë, korrektësi, qytetari dhe vlera e virtyte humane që konfiguruan tek secili mjekun e besuar dhe shumë të dashur për çdo pacient.
Urdhri i Mjekut Durrës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij dhe të gjithë kolegëve!
Shpirti i tij u prehtë në paqe!”,
përfundon reagimi i UMD.