Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndau një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit, shkrimtarit e shkencëtarit nga Durrësi, Moikom Zeqo.
“Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të ish-deputetit, shkrimtarit dhe shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.
Moikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq.
Moikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë. Moikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit.