Presidenti i Republikës nuk ka çfarë t’i bëjë Brukselit dhe i bie Librazhdit
TIRANË, 17 tetor 2013 – Kur nuk ke se çfarë t’i bësh gomarit, i bie samarit! “Ish-Prokurorja e Përgjithshme, e cila u shkarkua në vitin 2012, ende nuk është rikthyer në pozicionin e saj si gjyqtare” (në foto dy durrsakë: Nishani dhe Rama), kështu thuhet në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Kjo është kritika e Brukselit për presidentin durrsak të Republikës Bujar Nishani, i biri i mësues Faikut, që la pa punë Ina Ramën, të bijën e regjisorit dhe dramaturgut të shquar durrsak Xhixhi (Haxhi). I kapur ngushtë, kreu i shtetit, që nuk kishte sesi t’i kundërvihej KE-së, shpërthen çuditërisht kundër deputetit të PS-së për Librazhdin Taulant Balla (në foto), i cili, sipas “Demkave” të presidentit, ka përdhosur sallën e parlamentit! Në seancën e 17 tetorit 2013 të Kuvendit të Shqipërisë për aktin normativ të nëpunësit civil, Balla tha se presidenti Nishani, kur ka qenë ministër, ka kërkuar shkarkimin e disa punonjësve të policisë. “Është hera e fundit që po nxjerrim disa dokumente që nga arkiva e paudhësive të qeverisë së kaluar po i nxjerrim sot përsëri për t’i kujtuar publikut sesi janë sjellë këta ish-ministra me administratën publike që sot derdhin lot krokodili. U ndërrofshin mazhorancat zgjedhje pas zgjedhjesh por kurrë mos ndodhtë ashtu siç ka ndodhur me aministratën publike 8 vitet e shkuara. Kam një letër tjetër këtu, akoma më e rëndë se personi që e dërgon është sot, presidenti i Republikës në fakt: “PD, Tiranë, drejtuar z Sokol Olldashi, ju përcjell propozimet e seksionit nr 6, për largimin e punonjësve të policisë të poshtëshënuar, këta drejtues janë të majtë, të lidhur me drejtues të PS dhe LSI. Dhe lista radhës, 12 tetor, 2005. PD duhet të ishte vetë në sallë”.
Dokumenti / Nishani reagon kundër deputetit. 17 tetor 2013
“Presidenti i Republikës shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik që shumica qeverisëse adresoi sot kundër tij në Aulën e lartë të Parlamentit duke e përdhosur atë.Presidenti i Republikës demaskon dhe dënon deformimin qëllimulët ndaj angazhimeve të tij kundër moszbatuesve dhe shkelësve të Ligjit në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Jo vetëm tani dhe në këtë rast. Në çdo periudhë, në të gjitha rastet, në çdo detyrë që ka pasur në të kaluarën dhe do ketë në të ardhmen.Duke cenuar besueshmërinë dhe duke inkurajuar sjelljen e papërgjegjshme, ky sulm me shtysë të qartë politike, është një tjetër atentat i rëndë që shumica qeverisëse i bën komunikimit normal ndërinstitucional.Presidenti i Republikës, ka qenë, është, dhe do jetë, i bindjes së thellë dhe të patundur, se pavarësisht nga pozicioni shoqëror, hierarkia shtetërore, dhe çdo rrethanë tjetër, denoncimi i shkelësve të ligjit dhe në përgjithësi mbrojtja e ligjshmërisë, është një akt civil, një detyrim njerëzor i vetvetishëm, i cilitdo qytetar të vendit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





