Nga Rolant Xhelilaj*
Parandalimi, si mënyra më mirë për të gjitha strukturat ka qenë fokusi kryesor, në të cilën është përqendruar gjithë puna për hartimin e një plan-veprimi real dhe te zbatueshëm kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar organizimit të aktiviteteve ndërgjegjësuese me grupet vulnerabël dhe viktimat potenciale të trafikimit, fokusuar kryesisht mbi komunitetin rom dhe fëmijët.
VEPRIMTARITË SENSIBILIZUESE
Këshilli i Qarkut, në bashkëpunim me organizatën “Terre des hommes”, ka trajnuar punonjësit e njësive për mbrojtjen e fëmijëve të bashkive dhe komunave të qarkut, duke aplikuar module mbi të drejtat e fëmijës, fokusuar në çështje të trafikimit dhe shfrytëzimit të punës së fëmijëve. Gjatë muajit shkurt 2014 është organizuar në Këshillin e Qarkut seminari me temë “Çdo fëmijë rom në kopesht” me qëllim prezantimin e këtij projekti dhe me një spektër të gjerë pjesëmarrjeje nga njësitë vendore, drejtoritë rajonale, organizata që kanë në fokusin e tyre punën me komunitetin rom dhe fëmijët, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në janar 2014 bashkia Krujw organizoi seminarin me temë “Nuk është burrë ai që lëndon një grua” me djemtë e shkollave të mesme, për sensibilizimin e brezit të ri kundër dhunës ndaj femrave. Shoqata e Grave me Probleme Sociale ka zhvilluar takime ndërgjegjësuese dhe informuese në fshatra dhe komuna të qarkut të Durrësit mbi promovimin e të drejtave të grave si dhe ka hapur qendrën komunitare dhe të mundësive në Spitallë, e cila ka ofruar shërbimet e saj për gratë dhe vajzat e këtij komuniteti. Një kontigjent i prekshëm dhe shumë i ndjeshëm ndaj trafikimit të qenieve njerëzore janë edhe nxënësit e shkollave që variojnë nga mosha 6-18 vjeç, për këtë arsye janë përfshirë në kurrikula tema dhe orë të veçanta luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe janë zhvilluar një sërë aktivitetesh nëpër shkolla, partnerë kryesorë të të cilave kanë qenë vetw nxënësit, mësuesit, psikologët, përfaqësues të sektorit antitrafik të policisë, operatorët e zonave përkatëse dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, gjatë periudhës janar-shkurt 2014 ka zhvilluar shpërndarjen e fletëpalosjeve “Unë kam të drejtat e mia” në disa institucione parashkollore publike të qytetit për të sensibilizuar prindërit për të drejtat e fëmijëve dhe mbi disa fenomene që shkelin këto të drejta, siç janë trafikimi i fëmijëve dhe dhuna ndaj tyre.
NDJEKJA PENALE
Një ndër drejtimet më të rëndësishme të veprimit antitrafik është ndjekja penale, mbrojtja dhe asistimi i viktimave te trafikimit. Gjatë periudhës janar-shkurt 2014 nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme janë evidentuar 3 vepra penale, ku 2 janë për “kalim të paligjshëm të kufirit” dhe 1 është për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rwnduese”. Drejtoria e policisë së qarkut, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë hartuar plane operacioni të përbashkëta për goditjen e fenomenit të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe trafikimit të femrave dhe fëmijëve. Për t’u ardhur në ndihmë viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme të trafikimit, drejtoria e policisë së qarkut ka bashkëpunuar me qendrat pritëse në Tiranë dhe Elbasan, Shërbimin Social Shtetëror dhe bashkinë e Durrësit. Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me policinë, ka qenë i pranishëm në procesin e intervistimit të viktimave, ku është shpjeguar menjëherë sistemi i mbrojtjes ligjore dhe i ndihmës shoqërore. Në të tre rastet e përmendura më lart, shtetaset janë lënë të zgjedhin me vullnetin e tyre të lirë se ku do të akomodohen si dhe janë drejtuar dhe menaxhuar sipas nevojave përkatëse. Në takimin e tryezës teknike një ndër shqetësimet kryesore të të gjithë aktorëve pjesëmarrës ishte mungesa e një ambienti të përshtatshëm akomodimi të viktimës, në momentet e para të asistimit të saj.
PËRPARËSITË
Lufta kundër trafikimit është prioritet i qeverisë dhe Institucioni i Prefektit është i vendosur të përballet me këtë sfidë, e cila do ta nxjerrw vendin nga renditja e vendeve problematike. Për këtë arsye angazhimi ynë do të jetë maksimal duke i dhënë një vizion të ri funksionimit të Komitetit Rajonal Antitrafik nëpërmjet realizimit të prioriteteve në të ardhmen. Të rrisë përkushtimin dhe mbështetjen në bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, por veçanërisht atë ndërmjet policisë dhe prokurorisë pa të cilat nuk mund të arrihet finalizimi i veprimtarisë për zbulimin dhe dokumentimin e veprave penale dhe autorëve të tyre. Do të fillojë
puna për ngritjen e nënkomiteteve rajonale dhe në komuna dhe bashki të tjera të qarkut në mënyrë që lufta për trafikimin të mos mbetet vetëm në nivelin qendror të qeverisjes por dhe atë vendor. Do te bashkërendohen përpjekjet për të mbështetur njeri-tjetrin në çdo aksion, duke i kushtuar vëmendje situatës së viktimës duke bashkëpunuar dhe me aktorë të shoqërisë civile që japin shërbime për viktimat e trafikimit. Duke qene se qyteti i Durrësit ka një fluks të lartë lëvizjesh, në vëmendje të Institucionit të Prefektit do të jetë organizimi i një tryeze të Komitetit Rajonal Antitrafik me operatorët turistikë, të cilët mendohet të përfshihen në luftën kundër trafikimit, gjë që do të shërbejë për informimin e udhëtarëve në lidhje me dokumentacionin e duhur gjatë lëvizjes së tyre.
* Prefekt i qarkut të Durrësit.





