Pas “ajrosjes” dy orëshe në shëtitoren “Taulantia” dhe plazhin e Durrësit, në fashën orare 16.00-18.00, durrsakët janë mbyllur në shtëpi mbrëmjen e sotme.
Burime nga Policia Bashkiake, që vazhdon patrullimin në rrugët e qytetit dhe ndëshkon shkelësit e masave strikte të ndërmarra nga qeveria Rama, konfirmojnë për DurrësLajm se ndryshe nga netët e tjera, këtë të enjte nuk vihej re qarkullim qytetarësh në rrugë.
Të vetmet që shihen në rrugë, siç shihet qartë në pamjet filmike të regjistruara në orën 19.00, janë automjetet e policisë që patrullojnë apo ndonjë makinë e pajisur me leje.
Ndëshkimet administrative të drejtuesve të mjeteve apo këmbësorëve që shkelin “shtetrrethimin”, duket se i kanë bindur qytetarët të respektojnë oraret e përcaktuara me akt normativ.
Gjithsesi, gjatë ditës së sotme u regjistrua edhe një ngjarje deri diku surreale. Një i ri, në lagjen nr.1, tentoi të hidhej nga dritarja, pasi nuk duronte më mbylljen në shtëpi. U desh ndërhyrja e policisë për të evituar regjistrimin e një ngjarje shumë më të rëndë.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 78 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, si dhe janë bllokuar 78 mjete, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.





