Montohen ndriçuesit e dëmtuar në lulishten anash pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" në qytetin e Durrësit.

Vetëm pak orë pasi DurrësLajm publikoi një shkrim mbi këtë problematikë, ndriçues të rinj janë vendosur në vend të atyre që ishin shkulur nga persona të papërgjegjshëm.

Kryebashkiakja Valbona Sako konfirmon për DurrësLajm se nga ndërrmarrjet në varësi janë marrë menjëherë masa dhe mbrëmjen e sotme të gjithë ndriçuesit janë sistemuar dhe çdo gjë është kthyer në normalitet.

Prej disa ditësh, ndriçuesit në këtë lulishte ishin shkulur, ndërkohë që fijet e korentit qëndronin të derdhura në tokë. Ato përbënin rrezikshmëri sidomos për fëmijët, pasi tensioni që kalon nëpër ta është 220 volt.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të bashkisë, ruajtja e pasurisë së përbashkët është para së gjithash edhe një angazhim qytetar. Në Durrës, nuk kanë qenë të pakta rastet kur vepra publike janë dëmtuar nga vandalët. Gladiatorët dhe peshkatari tek shëtitorja "Taulantia" janë dëmtuar disa herë. Të njëjtin fat të keq kanë pësuar edhe të tjera skulptura parku apo buste të vendosura në hapësira publike në Durrës.