Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin policor të koduar “The Accountant”, duke goditur një rast të ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore.

Policia ka identifikuar dhe ka vënë në hetim një 15-vjeçar nga Vlora si autor i dyshuar.

Sipas hetimeve, i mituri dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore, përfshirë email-et dhe faqet zyrtare të tyre, duke shkaktuar ndërprerje të funksionimit për periudha të caktuara.

Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë se nuk është konstatuar vjedhje e të dhënave apo dokumenteve konfidenciale.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar disa pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme:

-5 laptopë

-6 telefona celularë

-1 dron

Hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht aktivitetin e kundërligjshëm dhe për të përcaktuar nëse ka të tjerë të përfshirë në këtë rast.