Situata në Veri të Kosovës duket mjaft e tensionuar, ku mediat vendase raportojnë se deri më tani numri i policëve të plagosur ka shkuar në 4 nga të shtënat me armë.

Ndërkohë, Radio Televizioni i Serbisë, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raporton se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, urdhëroi vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake.

Lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, në Beograd po mbahet mbledhja e Këshillit për Siguri Kombëtare, të cilën po e kryeson presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha në Beograd se situata është “dramatike” dhe se ka pasur edhe të shtëna në veri të Kosovës.

Gjuriç tha po ashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe – subjekt politik i serbëve të Kosovës – që morën pjesë në një sesion të posaçëm të Kuvendit të Serbisë të hënën, udhëtuan për në Kosovë këtë mëngjes.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç është nisur për në Kosovë. Portali serb “Telegraf.rs” raporton se ai është rrugës për në Zubin Potok ku po ashtu është duke u zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës.

Nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me veprimin e Vuçiçit, ndonëse portale të tjera serbe raportojnë se ai sot pritet të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin Perëndimor në Bratislavë.