Tenderi që synon të ndërhyjë në aspektin estetik dhe përmirësimin funksional të bregdetit të Durrësit si pjesë e projekteve që po zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është ankimuar së fundmi në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).
Bëhet fjalë për procedurën me objekt kontrate “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi,etj. Faza III Rajonet 1&2: Ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës” me fond limit 540 milionë lekë apo rreth 5.5 milionë euro.
Pranë KPP ankesa është kategorizuar e lidhur me vlerësimin që është bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për procedurën e hapur në 4 dhjetor dhe i mbyllur më 22 dhjetor 2025. Tashmë mbetet në dorë të Komisionit për të marrë vendim lidhur me hapat që mund të hidhen në vazhdim nga autoriteti kontraktor. Por çfarë parashikon në fakt projekti?
Ndërhyrja në Durrës
FSHZH parashikon të ndërhyjë në Durrës duke nisur nga rivelimi i një sipërfaqeje rreth 544 mijë m2, e cila përfshin zonën nga porti i Durrësit deri tek Kavalishenca.
“Ky projekt ka për qëllim të transformojë zonën bregdetare të qytetit të Durrësit në një destinacion bashkëkohor turistik, rekreativ dhe urban, përmes ndërhyrjeve arkitekturore dhe urbane të planifikuara me kujdes.
Ai përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës bregdetare, zhvillimin e hapësirave publike shumë funksionale dhe integrimin e infrastrukturave të reja rekreative dhe sportive.
Gjatësia e zonës së ndërhyrjes është rreth 2.8 km, me një zgjerim të vijës bregdetare deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe vizitorë”, thuhet në dokument./Monitor








