Partia Demokratike në Durrës ka denoncuar sipas saj, mungesën e transparencës së fondeve publike me investimet në rrugë. Titullarët lokalë të PD-së, janë ndalur në një prej arterieve kryesore të Durrësit, rrugën “Skënderbej”, që nis nga stacioni i trenit e përfundon tek hyrja e portit, në të cilën prej muajsh po zhvillohen punime për rikualifikimin e të gjithë zonës.
Ferdinand Xhaferri, kreu i PD-së për Durrësin, në një dalje publike së bashku me anëtarët e kryesisë tha se në pikun e sezonit veror bashkia po kryen punime në rrugë duke sjellë kaos e trafik. Përpos punimeve rrugët në qytet janë shpartalluar sepse trotuaret janë zgjeruar e parkingjet janë hequr, sipas Xhaferrit.
Theksin kryedemokrati i Durrësit e vendosi tek mungesa e transparencës.“Nuk ka një tabelë në rugët që po rikonstruktohen të tregojnë sa është fondi i akorduar, çfarë punimesh bëhen, cila firmë është zbatuese e këtyre investimeve,” tha Xhaferri i cili rikujtoi përmbytjet me të cilat ndeshen qytetaret sa herë bie shi në Durrës.
Sipas tij heqja e parkingjeve nga rrugët kryesore me zgjerimin e trotuareve fsheh aferën e parkingjeve privatë ku do jenë të detyruar të shkojnë shoferët.
K.H.





