Rruga “Taulantia” në Durrës, në segmentin nga hotel “Arvi” deri te hotel “Aragosta”, i është nënshtruar rikonstruksionit të saj.

Punimet kanë filluar prej dy ditësh, e sipas bashkisë së Durrësit po punohet deri në orët e mbrëmjes me synim që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt dhe me të gjitha standardet bashkëkohore.

Në të gjithë zonën po kryhen ndërhyrje të cilat do të tjetërsojnë hapësirën duke filluar nga projekti “Veliera” dhe vazhduar me rehabilitimin e shëtitores “Taulantia”. Në kuadrin e këtyre punimeve, po realizohet edhe rikonstruksioni i rrugës “Taulantia”, e cila ishte e amortizuar.

Investimi në këtë rrugë me gjatësi 720 metra, po kryhet me fondet e Bashkisë së Durrësit dhe në këtë segment do të zëvendësohen shtresat rrugore duke i zëvendësuar ato me të reja, si dhe do të shtrohet asfalt i ri në një sipërfaqe totale 6980 m². Po kështu do të vendosen edhe sinjalistikat horizontale dhe vertikale.

“DurrësLajm” mëson se afati i përfundimit të këtij segmenti rrugor është 84 ditë, ndërsa vlera e punimeve kap shifrën  14,486,748 lekëve.

Nga ana tjetër, për rikonstruksionin e shëtitores janë realizuar mbi 60% e punimeve. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kanë përfunduar mbi 2800 m² vendosje kubik guri, 1200 m² vendosje pllaka guri, si dhe të gjitha rrugicat lidhëse me beton.

S.L.