Përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të PPE në Parlamentin Europian, Eurodeputeti Michael Gahler ka reaguar pas votimit të Kodit të ri Zgjedhor nga maxhoranca pa konsensus.

Në një postim në Facebook, Gahler shkruan se shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE duke akuzuar kryeministrin Edi Rama, ndërsa ka një thirrje për presidentin Ilir Meta.

“Duke votuar sot shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE. Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq. Ne i bëjmë thirrje Presidentit t’i kthejë ligjin e sotëm Parlamentit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar.”