Ademi: Bashkia po shkel ligjin. Dako: E marr menaxhimin vetëm nëse lahen borxhet

Marrja në ngarkim e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve nga bashkia e qytetit të Durrësit është kthyer në një telenovelë disa vjeçare. 80% e këtyre ndërmarrje në rang vendi menaxhohen nga bashkitë përkatëse sipas qyteteve. Bashkia e Durrësit nuk i bashkohet kësaj nisme të marrë prej vitesh jo vetëm në vendin tonë, por edhe përtej kufinjve. Ndërmarrje të tilla në shtetet fqinje si Italia, Greqia apo edhe në vendet e perëndimit menaxhohen nga pushteti lokal. Qeveria para disa vitesh miratoi një ligjin në bazë të të cilit ndërmarjet e Ujësjellës-Kanalizimeve kalojnë nën administrimin e bashkive e komunave. Edhe pse ligji u miratua edhe në parlament disa nga bashkitë nuk nisën menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve.

Ndër këto është edhe bashkia e Durrësit, e cila nuk pranon që të marrë në dorë menaxhimin e kësaj ndërmarrje. Në lidhje me këtë çështje drejtori i Ujësjellësit është shprehur se bashkia duhet të marrë sa më shpejt këtë ndërmarrje nën patronazh. “Nuk e kuptoj përse zvarritet nga bashkia çështja që ujësjellësi të kalojë nën administrimin e bashksë. Vendimi i këshillit të ministrave në vitin 2007 flet qartë dhe prerë se bashkitë e të gjitha qyteteve duhet të marrin nën administrim ndërmarrjen e ujësjellësit. Bashkia e Durrësit në këtë mënyrë po kryen shkelje. Pushteti vendor duhet të respektojë ligjin për të marrë në patronazh ujësjellësin dhe jo të shkelë ligjin duke e refuzuar atë”,- ka deklaruar drejtori i ujësjellësit Doklead Ademi.

Ndërkaq kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, shpeshherë është shprehur se është dakort të menaxhojë ndërmarrjen, por kur kjo e fundit të ketë shlyer të gjitha borxhet. Gjithashtu një tjetër kusht i Dakos për të marrë menaxhimin e ndërmarrjes është ndërtimi i një infrastrukture të re siç është ndërtimi i rrjetit, i cili furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Durrësit dhe një sërë komunash e bashkish të këtij qarku. “Unë nuk kam ndonjë kundërshtim që bashkia të marrë në ngarkim dhe të menaxhojë ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, por duhet të biem dakort që të lahen borxhet si dhe të ngrihet një rrjet i ri kanalizimi për furnizimin e qytetit me ujë.

E them këtë se komunat kanë fondet e veta dhe nuk kanë pse të marrin ujë nga investimet që bën bashkia e Durrësit. Kjo ndërmarrje i ka një borxh shumë të madh edhe kompanisë “CEZ”. Duhet që shteti të shlyejë këto detyrime e pastaj nuk ka asnjë problem që ne të marrim në patronazh Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve”,- është shprehur kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Të dyja palët kërkojnë që t’ja hedhin fajin njëra-tjetrës, por është populli ai që vuan pasojat e mosmarrëveshjeve mes institucioneve. Prej kohësh në rrjetin e ujësjellësit nuk është vënë dorë, madje pothuajse pjesa më e madhe e rrjetit është e amortizuar e në këtë mënyrë qytetarët rrezikojnë të mbeten pa ujë.

Për shkak të rrjetit të amortizuar gjatë periudhës së verës, kur kërkesa për ujë është akoma edhe më e madhe, disa nga lagjet e qytetit prej ditësh mbeten pa u furnizuar me ujë. Ndërsa Banka Botërore dhe qeveria shqiptare kanë derdhur miliona dollarë për Ujësjellësin e Durrësit, autoriteti përkatës nuk mund të japë garanci se nuk do të ketë më probleme me ujin e pijshëm për Durrësin, plazhin, apo edhe zonat e tjera problematike, ku uji i pijshëm ka munguar prej vitesh. Vetëm pak kohë më parë CEZ-i ndërpreu për disa orë energjinë elektrike, pasi sipas tyre Ujësjellësi nuk i kishte shlyer borxhin. Kjo avari rreth 12 orëshe krijoi një kolaps dhe si pasojë mbetën pa ujë të pijshëm rreth një milionë banorë dhe pushues në plazhet e Durrësit. Problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, janë evidente më shumë se kurrë këto kohët e fundit. Lagje të tëra janë pa ujë, ndërsa edhe në ato zona ku uji shkon është me orar të kufizuar dhe nuk i përmbush të gjitha nevojat e konsumatorit.