Dosja e Jeffrey Epstein, e publikuar së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, përmbajnë prova shqetësuese dhe të besueshme të abuzimit seksual sistematik dhe në shkallë të gjerë, trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të grave dhe vajzave, të cilat mund të karakterizohen si krime kundër njerëzimit, bënë me dije ekspertët e OKB-së.

Siç deklarojnë ata, këto akte mund të konsiderohen skllavëri seksuale, dhunë riprodhuese, zhdukje me forcë, torturë, trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe femicid.

“Aq e rëndë është shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe shtrirja transnacionale e këtyre mizorive kundër grave dhe vajzave, sa një numër i tyre mund të përmbushë në mënyrë të arsyeshme pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit”, thanë ekspertët e OKB-së në një deklaratë të botuar në faqen e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ata vunë në dukje se këto zbulime tregonin ekzistencën e një ndërmarrjeje kriminale globale dhe “implikimet e frikshme të nivelit të pandëshkueshmërisë për krime të tilla”.

Ekspertët kanë paralajmëruar se format e raportuara mund ta arrijnë këtë prag dhe se këto krime duhet të ndiqen penalisht para të gjitha gjykatave kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Të gjitha akuzat e përfshira në ‘dosjet Epstein’ janë të natyrës skandaloze dhe kërkojnë një hetim të pavarur, të plotë dhe të paanshëm, si dhe hetime, për të përcaktuar se si krime të tilla mund të kenë vazhduar për kaq gjatë”, thanë ekspertët e OKB-së.