16 janar 2014 – Sektori i shërbimeve është dega e ekonomisë shqiptare që tërheq më shumë investitorë të huaj. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në Shqipëri regjistrohen 3.811 sipërmarrje në pronësi të shtetasve të huaj, përfshi këtu edhe ndërmarrjet e përbashkëta me shtetas shqiptarë. Mbi 1.500 e këtyre ndërmarrjeve apo 68% e tyre zhvillojnë aktivitet në shërbime. Të huajt zotërojnë afro 1.244 ndërmarrje tregtare dhe 196 shoqëri në sektorin e transporteve dhe të telekomunikacioneve. Nisma e huaj është më pak e angazhuar në sektorin prodhues të ekonomisë, ku numërohen gjithsej 1.211 shoqëri të huaja. 64% e tyre kanë aktivitet në Industri, 34% në Ndërtim dhe pak më shumë se 2% në sektorin e Bujqësisë dhe Peshkimit. Sipërmarrjet e huaja, ashtu si edhe ato shqiptare, janë kryesisht të përmasave të vogla dhe që punësojnë deri në katër individë. Por, ndër bizneset e huaja përqindja e atyre që kanë më shumë se 50 punëtorë është afro 6%, shumë më e lartë se mesatarja e ndërmarrjeve të mëdha në gjithë ekonominë. Për sa i takon origjinës së kapitalit, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta dominohen nga sipërmarrësit italianë. Sipas INSTAT, ndërmarrjet e investitorëve italianë zënë 38% të totalit, të ndjekur nga sipërmarrjet greke me 15% dhe ato turke me 7%. Pesha e bizneseve italiane, greke dhe turke është akoma më e lartë në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha. 50% e ndërmarrjeve me kapital të huaj që punësojnë mbi 50 vetë janë italiane, 15% greke dhe 5% turke. Këto tri vende dominojnë në investimet strategjike edhe më shumë se në numrin e ndërmarrjeve në tërësi. 

 

http://www.sot.com.al/ekonomia/nd%C3%ABrmarrjet-e-huaja-n%C3%AB-ekonomin%C3%AB-shqiptare-dominojn%C3%AB-sh%C3%ABrbimet