Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) vijojnë të kenë peshën kryesore në ekonominë shqiptare, duke përfaqësuar pothuajse të gjithë strukturën e biznesit dhe pjesën më të madhe të punësimit në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në vitin 2024 ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99,9% të ndërmarrjeve aktive në ekonomi.
Këto ndërmarrje gjenerojnë gjithashtu pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik në vend. Rreth 82% e të punësuarve në ekonomi janë të angazhuar në NVM, ndërsa 81,4% e shitjeve neto realizohen nga këto ndërmarrje.
Po ashtu, 75% e investimeve në ekonomi kryhen nga NVM-të dhe 78,1% e vlerës së shtuar në ekonomi krijohet prej tyre.
Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2023 pesha e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ekonomi mbetet pothuajse e pandryshuar.
Në krahasim me Bashkimi Evropian, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë një rol më të madh në ekonominë shqiptare. Në Shqipëri, 82% e punësimit gjenerohet nga NVM-të, ndërsa në Bashkimin Evropian kjo peshë është 65,1%. Edhe për sa i përket vlerës së shtuar, NVM-të në Shqipëri krijojnë 78,1% të saj, krahasuar me 53,6% në BE.
Sa i përket tregtisë së jashtme, vetëm një pjesë e vogël e këtyre ndërmarrjeve janë të përfshira në eksport ose import. Në vitin 2024, 3,1% e NVM-ve rezultojnë ndërmarrje eksportuese, ndërsa 11,9% janë ndërmarrje importuese, çka tregon se shumica e tyre operojnë kryesisht në tregun e brendshëm.
Struktura sipas sektorëve tregon se mikrondërmarrjet kanë peshën më të madhe të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ndërmarrjet e vogla janë më të përqendruara në sektorin e ndërtimit, ndërsa ndërmarrjet e mesme kanë peshën më të madhe të punësimit në industrinë përpunuese.
Nga ana tjetër, mikrondërmarrjet realizojnë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 47,3%. Ndërmarrjet e vogla kanë peshën më të madhe të shitjeve në sektorin e tregtisë me 31,9%, ndërsa ndërmarrjet e mesme në industrinë përpunuese me 35,8%.





