Në nderim të 14 ushtarëve britanikë të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, pranë pllakës përkujtimore kushtuar atyre, në sheshin “Edit Duhram” në Prishtinë u vendosën kurora lulesh. Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar që kjo ceremoni të shërbejë në drejtim të paqes dhe pajtimit
Në ditën kur Britania e Madhe nderon të gjithë dëshmorët e rënë, në Kosovë ambasada e këtij shteti ka organizuar ceremoni përkujtimore për 14 ushtarët e këtij vendi të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.
Pranë pllakës përkujtimore në sheshin “Edit Durham”, përfaqësues politik e diplomatik, të dielën bënë nderime e vendosën lule.
Fjalim para të pranishmëve ka mbajtur ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
“Ceremonia e mëngjesit të sotëm nënkupton gjëra të ndryshme për secilin prej nesh dhe unë shpresoj që kjo ceremoni të na shërbejë për inspirim e ngushëllim. Shpresoj që kjo ceremoni të na inspirojë të gjithëve të vazhdojmë të punojmë për paqe dhe pajtim në këtë rajon dhe përgjatë tërë botës”, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në ceremoninë përkujtimore, ka shkruar në Facebook se ushtarët britanikë janë pjesë e historisë së Kosovës.
“Një shtet mik si Britania e Madhe ka luajtur rol të rëndësishëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Lidhja e veçantë e Republikës së Kosovës me Britaninë e Madhe rrjedh dhe kultivohet edhe nga sakrificat e përbashkëta, përveçse edhe nga vlerat e njëllojta”, ka shkruar ai.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ushtarë të FSK-së e të KFOR-it.