E kthyer tashmë në një traditë të bukur prej më shumë se 2 dekadash, aktiviteti “Festë Deti”, nuk kishte si të mungonte edhe në këtë fund qershori.
Gjatë eventit të organizuar nga Shoqata Durrësi Autokton, u nderuan me titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit”, tre personalitete të shquar të qytetit bregdetar.
Fillimisht titullin e lartë e mori mësuesi Islam Alikaj, me motivacionin “Për kountributin e tij në shkencën e matematikës si pedagog i kësaj lënde, por edhe si autor i 15 botimeve shkencore, jo vetën në gjuhën shqipe por edhe në italisht.”
Bashkim Tagaj u nderua pas vdekjes me motivacionin “Për koutributin e tij në ngritjen e basketbollit durrsak që nga viti 1949, në nivelet e larta, si kampionë të Republikës në vitin 1955 dhe për përgatitjen e basketbollistëve që pasuan arritjet e basketbollit të Durrësit.”
Me titullin “Nderi i qyteti” u vlerësua doktoreshë Elida Dakoli me motivacionin “Për koutributin e saj në evidentimin e vlerave të kulturës, qytetarisë durrsake në mbarë botën”.
Të pranishmit në ceremoni ndoqën më pas një koncert të pasur artistik me këngë dhe valle.
Përpara aktivitetit të zhvilluar në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu”, anëtarë të Shoqatës Durrësi Autokton, por edhe qytetarë shijuan një shëtitje përgjatë bregdetit me rimorkiatorin “Epidamn”.