Festa e Mikpritjes Durrsake, e cila zhvillohet çdo vit në ekuinoksin e pranverës, ka vlerësuar tre personalitete të shquara të fushave të ndryshme. Artisti i Popullit, Reshat Arbana, drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi dhe biznesmeni Rifat Erzeni (Peshkatari, siç e njohin në Durrës) janë vlerësuar nga shoqata “Durrësi” dhe bashkia e qytetit me titujt “Fisnikëria e qytetit të Durrësit” dhe “Nderi i qytetit”.
Në motivacionet e dedikuara titujve në fjalë është theksuar kontributi i tyre në fushën e artit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit. Lidhur me dekorimin e drejtorit të ALUIZNI-t Flamur Gjuzi është theksuar kontributi i tij në punën voluminoze të kryer nga ky institucion për legalizimin e rreth 30 mijë banesave deri tani. Personazhet e vlerësuar janë shprehur të emocionuar për vlerësimin.
Dorëzimi i titujve është bërë mbrëmjen e djeshme gjatë një aktiviteti që është zhvilluar në Pallatin e Kulturës, ku këngëtarë të njohur dhe aktorë të humorit kanë shoqëruar për afro 2 orë shfaqjen e organizuar për këtë rast.
K.H.





