Në ditën e ekuinoksit të pranverës, siç është kthyer tashmë traditë në Durrës, shoqata Durrësi me mbështetjen e pushtetit lokal ka organizuar aktivitetin kulturor “Mikpritja durrsake”. Aktiviteti, ashtu si çdo vit tjetër, ishte konceptuar në formën e një spektakli artistik, por nuk mungoi dhe nderimi i rezervuar për disa nga personalitetet që kanë kontribuar për qytetin dhe qytetarët e tij. Kryebashkiaku Vangjush Dako i ka akorduar titullin “Nder i qytetit” tre figurave që kanë spikatur me kontributin e dhënë në ndihmë të komunitetit.
Personalitetet e këtij viti kanë qenë biznesmeni italian Diego Pisa, ai kosovar Agim Hyseni dhe mjeku Dritan Jahja, të cilit iu akordua ky titull pas vdekjes. Dy sipërmarrësit, shtetasi italian dhe ai kosovar u nderuan me këtë titull për kontributin e dhënë prej tyre në fushën e biznesit për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së qytetit. Ndërkohë mjeku reanimator dhe anestezist Dritan Jahja, që punoi deri në fund të jetës së tij në spitalin e qytetit, është dalluar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës si dhe humanizmin dhe fisnikërinë ndaj njerëzve dhe veçanërisht ndaj pacientëve.
Krahas nderimit të figurave më të spikatura gjatë një viti në Durrës aktiviteti u shoqërua me numra të shumtë artistikë si dhe performancat e këngëtarëve dhe humoristëve të ftuar. Ndër emrat e këngëtarëve të ftuar për të marrë pjesë në këtë spektakël spikasnin ato të Irma Libohovës, Kastriot Tushës, Manjola Nallbanit apo Valbona Halilit, zëra të afirmuara tashmë të skenës shqiptare.
Ndërkohë krahas humoristëve të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” u ngjit në skenë dhe humoristi i mirënjohur Skënder Sallaku që me batutat dhe skeçet e tij shpërtheu në të qeshura publikun në sallë. Para fillimit të aktivitetit kulturor kryebashkiaku Dako ka kryer një gjest simbolik duke mbjellë një rrënjë trëndafili në lulishten para bashkisë, si shenjë e ardhjes së pranverës.
Vlen të përmendet fakti se publiku durrsak shijoi për herë të parë pas disa muajve mungesë një spektakël artistik. Moskonstituimi i këshillit të kulturës që funksionon pranë bashkisë së qytetit i ka privuar durrsakët nga disa koncerte në shesh dhe ka ndikuar në varfërinë e jetës artistiko-kulturore të qytetit.
Personalitetet e nderuara
Diego Pisa
Është një sipërmarrës italian që ka ardhur në Shqipëri që në vitin 2007 dhe është drejtor i Teleperformancës shqiptare. Kompania Teleperformanca e ka qendrën e saj në Paris. Ka shtrirjen më të madhe botërore në industrinë e 281 qendrave të kontaktit, e pranishme në 45 vende, shërben në 75 tregje dhe në të punojnë 83.000 njerëz. Pisa ka ardhur në Tiranë në mars të 2007-ës dhe në Durrës në maj të 2008-ës. Në Durrës janë të punësuar tek kjo kompani 700 punonjës, ndërsa në Tiranë 500. Brenda vitit kompania planifikon që stafi i saj të arrijë në 2300 punëtorë.
Agim Hyseni
Është president i kompanisë AK –Construction. Ai ka lindur në Podujevë, Kosovë dhe në vitin 1994 vendoset në Shqipëri për të zhvilluar aktivitetin e tij tregtar. Në vitin 2010 mori nënshtetësinë shqiptare dhe është vendosur në Durrës. Gjatë tërë veprimtarisë së tij në fushën e ndërtimit Hyseni ka punësuar me qindra qytetarë durrsakë. Ndërtimet e realizuara nga shoqëria e tij janë të parametrave teknike europiane e të standarteve të larta. Gjatë periudhës 1999 e në vazhdim, ka realizuar një sërë ndërtimesh në bregdetin e Durrësit.
Dritan Jahja
Mjek reanimator dhe anestezist, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar. Jahja lindi më 24 prill 1968. Në vitin 1991 diplomohet si mjek i përgjithshëm dhe në vitin 2000 diplomohet si reanimator dhe anestezist. Punoi deri në fund të jetës në Spitalin Rajonal të Durrësit, në pavijonin obstetri – gjinekologji si mjek reanimator dhe anestezist. Tërë jeta e tij u shoqëria nga profesionalizmi, përkushtimi në detyrë, humanizmi dhe fisnikëria ndaj njerëzve dhe veçanërisht ndaj pacientëve. Kryebashkiaku Dako ia dorëzoi titullin “Nder i qytetit” vëllait të të ndjerit Jahja.