Në KZAZ-në 22 në Durrës është ndërprerë procesi i numërimit prej më shumë se 5 orësh. Shkak për ndërprerjen e procesit janë bërë fletët e pavlefshme të votimit, që komisionerët e PD-së dhe LSI-së pretendojnë të kenë gjetur.

Duke qenë se LSI-së i duheshin 120 vota për t’i marrë mandatin e tetë Partisë Socialiste, komisionerët e partisë së Monika Kryemadhit pretendojnë se tashmë kur po numërohen votat për kandidatët kanë zbuluar shumë fletë votimi të pavlefshme që sipas tyre i kanë kaluar PS-së si të vlefshme dhe për këtë arsye i kanë dërguar një kërkesë në KQZ për të rinumëruar kutitë në të cilat pretendohet të jenë gjetur fletë të pavlefshme votimi. Debatet mes anëtarëve të komisionit ka sjellë pezullimin e numërimit. 

Pranë kësaj KZAZ-je ka shkuar edhe kreu i demokratëve të Durrësit Ferdinand Xhaferaj, i cili ka thënë për mediat se “procesi i numërimit në këtë KZAZ është bllokuar nga përfaqësuesit e pushtetit. Është nga rastet e rralla kur ata që pretendojnë se janë fitimtarë investohen për të bllokuar procesin. Arsyeja është frika për të bërë transparencë.”

Më tej ai vijoi duke thënë: Duke qenë se në çdo kuti dalin fletë të pavlefshme, përfaqësuesit e PS, të urdhëruar nga përfaqësuesit e tyre nuk pranojnë që të shënohen shënimet në formular.  Ky është një skandal, sepse duan të zhdukin gjurmët.