Rreth 12.500 pelegrinë iranianë ndodhen të bllokuar në qytetin e shenjtë Medina në Arabinë Saudite, për shkak të pezullimit të fluturimeve drejt Iranit si pasojë e konfliktit të përshkallëzuar me Izraelin, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Pelegrinët kishin udhëtuar në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në Haxhin vjetor në Mekë dhe për të festuar Bajramin e Kurbanit më 6 qershor, ndërkohë që shumë prej tyre kishin vizituar edhe Medinën si pjesë e ritualit.

Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi se janë shqyrtuar mundësi alternative për përdorimin e aeroporteve në vendet fqinje, veçanërisht për pelegrinët që vijnë nga provincat lindore të Iranit, por deri më tani nuk është vënë në zbatim asnjë zgjidhje konkrete.

Autoritetet iraniane thonë se janë në koordinim me Arabinë Saudite dhe Irakun për të mundësuar kthimin e pelegrinëve përmes kalimeve tokësore kufitare.

Nga ana tjetër, agjencia shtetërore saudite SPA konfirmoi se Riad ka ofruar të gjitha shërbimet dhe nevojat e mundshme për pelegrinët iranianë, derisa të krijohen kushtet e sigurta për rikthimin e tyre në atdhe.