DURRES, 19 prill 2013– Prej më shumë se një viti punimet në rrugën e re drejt Porto Romanos janë ndërprerë, ndërsa nuk ka asnjë afat se kur do të përfundojë rruga e lënë përgjysmë. Kjo rrugë nis nga mbikalimi i Shkozetit në Durrës dhe përfundon në parkun industrial.

Ajo është projektuar për të normalizuar trafikun e mjeteve të rënda, të cilat kanë si destinacion parkun energjitik dhe zonat e tjera industriale që operojnë prej disa vitesh 8 kilometra në veri të qytetit të Durresit.

Ndërprerja e punimeve ka shkaktuar probleme në gjurmën e rrugës, e cila është dëmtuar nga rreshjet e shiut, ndërsa banorët e zonës shprehen se ndërprerja e punimeve ka sjellë mjaft probleme për jetën e tyre.

Rruga e re është 8 km e gjatë nga austostrada pranë mbikalimit të Shkozetit deri në Porto Romano. Ajo është e  gjerë 22 metër dhe parashikohet të kushtojë 1.2 miliardë lekë në total.

Projekti ka parashikuar edhe ndërtimin e  rrugëve dytësore, ndërkohë që përfundimi i këtij aksi rrugor pritet të normalizojë trafikun në rrugët e brendshme të qytetit të Durrësit, nga ku aktualisht kalojnë një numër i madh kamionesh të tonazheve të rënda.