Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë goditur mbi 11 mijë objektiva, për të cilat thonë se u përkasin organizatave terroriste në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës me Hamasin më shumë se 3 javë më parë.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka përditësuar listën e saj të ushtarëve, të cilët u vranë në luftën e vazhdueshme me Hamasin. Sipas Izrealit, numri i të vdekurve tani është 326, përfshirë 11 ushtarë që vdiqën në Gaza të martën. Ushtarët ishin të gjithë të moshës nga 19 deri në 20 vjeç.
Nga ana tjetër, të gjitha shërbimet lokale celulare dhe të internetit janë ndërprerë. Lajmin e ka bërë të ditur korrespondenti i BBC News në Gaza, Rushdi Abualouf.
Gjithashtu, mediat palestineze të lajmeve dhe Hamasi në Telegram kanë raportuar se komunikimet me Gazën janë ndërprerë. Ofruesi më i madh i telekomunikacionit në Gaza, “Paltel”, kishte njoftuar ndërprerjen e plotë të shërbimeve të telekomunikacionit disa orë më parë.
Monitoruesi i rrjetit global Netblocks konfirmon që Gaza është në mes të një ndërprerjeje të re të internetit me ndikim të madh për operatorin e fundit të madh të mbetur, Paltel. Shumica e banorëve të Gazës do të përjetojnë një shkëputje totale të telekomunikacionit, tha ajo në një postim në rrjetin social “X”.