31 korrik 2015 – Incidentet në fushë kanë sjellë si pasojë ndërprerjen në minutën e 52-të të ndeshjes së Europa Lleague, midis Kukësit dhe Legias së Varshavës. Në momentin e ndërprerjes, rezultati ishte 1 – 2 në favor të polakëve, kur nisën të hidhen sende të forta në fushë. Shkak për këtë ndërprerje u bë goditja me çakmak nga tifozët e një lojtari të Legias, i cili mbeti i dëmtuar lehtë. Menjëherë pas këtij incidenti gjyqtari i ndeshjes pas konsultave me kapitenët e skuadrave dhe delegatin e UEFA-s, vendosi ta ndërpresë ndeshjen. Për fatin e kësaj ndeshjeje, tashmë do të vendosë Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s. Duke pasur parasysh qëndrimin e rreptë të UEFA-s në të tilla raste, gjasat janë që Kukësi të ndëshkohet me humbje të ndeshjes në tavolinë dhe gjobë. Duhet thënë se kjo ndeshje nuk nisi qetë, edhe  para fillimit të ndeshjes pati përleshje mes dy tifozerive jashtë stadiumit, ku pati edhe disa tifozë të plagosur, ndërsa të tjerë u shoqëruan në polici. 

Golat:  

Nikoliç në minutën e 29-të pas një depërtimi të bukur në zonë kalon polakët në avantazh, me këtë rezultat u mbyll dhe pjesa e parë. Vetëm pas katër minutash lojë nga pjesa e dytë, në minutën e 49-të braziliani Moreira ka barazuar rezultatin pas një goditjeje të bukur me kokë.

Shifrat e barabarta ndryshojnë shumë shpejt, pasi pa kaluar as dy minuta nga goli i kuksianëve, Legia kalon sërish në avantazh 1 – 2, autor i këtij goli ishte Reznizak.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/