Shkaku i vdekjes i aktores Michelle Trachtenberg është përcaktuar. Sipas Deadline, analizat laboratorike tregojnë se 39-vjeçarja ndërroi jetë për shkak të diabetit.

Në fund të muajit shkurt, ylli i “Gossip Girl” u gjet “pa ndjenja” në shtëpinë e saj në Manhattan, New York pas një arresti kardiak.

Fillimisht, u tha se shkaku i vdekjes do të mbetej i panjohur pasi familja e saj kërkoi që për shkak të besimit, të mos kryhej autopsia.

Zyra e mjekësisë ligjore do ta kryente autopsinë nëse shkaku i vdekjes do të ishte i dyshimtë, por nuk kishte diçka të tillë.

Eksperti mjeko-ligjor arriti të përcaktonte shkakun e vdekjes pa autopsi përmes analizave. Aktorja, e cila së fundmi kishte kryer një transplant mëlçie, vdiq për shkaqe natyrore.

Sipas mediave të huaja, po atë javë para se të ndërronte jetë, ajo ishte shfaqur “në gjendje të keqe” gjatë një darke në restorant me miqtë e saj. Ajo dukej “e dobët” dhe mezi “zbriste shkallët”.

Edhe në janar të këtij viti, ndjekësit nisën të shqetësoheshin për gjendjen e saj pas disa fotove të postuara.