Regjistrohet një tjetër viktimë nga koronavirusi në Spitalin Infektiv për ditën e sotme.

Nga të dhënat e para mësohet se ka ndërruar jetë një 27-vjeçar nga Kavaja, i cili vuante nga talasemia.

I riu ishte shtruar prej katër ditësh në Spitalin Infektiv dhe fatkeqësisht nuk ka mundur të jetojë.

Kjo është viktima e dytë më e re nga koronavirusi në Shqipëri, pasi disa ditë më parë ndërroi jetë edhe një 21-vjeçare.

Ndërkohë më herët gjatë paradites së sotme u raportua për vdekjen e një 44-vjeçareje nga Durrësi, e cila punonte si farmaciste në Fushë-Krujë.