Një vullnetar i testimit të vaksinës së COVID-19 të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit ka vdekur. Reuters raporton se lajmi u bë i ditur nga autoriteti brazilian shëndetësor, Anvisa, i cili kishte deklaruar se kishte marrë të dhëna nga një hetim për çështjen.
Autoriteti tha se testimi i vaksinës do të vazhdojë pas vdekjes së vullnetarit. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, duke përmendur konfidencialitetin mjekësor të atyre që ishin përfshirë në prova.
Universiteti Federal i Sao Paulo, i cili po ndihmon në koordinimin e provave klinike të fazës së tretë në Brazil, shtoi se vullnetari ishte brazilian por nuk tha se ku jetonte personi.
Qeveria federale tashmë ka plane për të blerë vaksinën në Mbretërinë e Bashkuar dhe për ta prodhuar atë në qendrën e saj kërkimore biomjekësore FioCruz në Rio de Zhaneiro, ndërsa një vaksinë konkurruese nga Sinovac e Kinës po testohet nga qendra kërkimore e shtetit Sao Paulo.
Brazili ka shpërthimin e dytë më vdekjeprurës të koronavirusit, me më shumë se 154,000 viktima nga COVID-19, duke u renditur pas Shteteve te Bashkuara.