TIRANE, 06 mars 2013 – Aktori i njohur Roland Trebicka nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh. Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 174”, i cili vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 65-vjeçare. 

Aktorit të mirënjohur i ishte zbuluar një masë tumorale në mushkëri, për kurimin e së cilës fluturoi me urgjencë në Francë, i ndihmuar edhe nga shteti shqiptar.

Aktori Roland Trebicka do të kthehej në skenën e Teatrit Kombëtar, pas semundjes se rende me rolin e Seit beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, fituese e konkursit për dramën shqipe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë karrierës së tij artistike Roland Trebicka është nderuar me çmimin "Artist i merituar". Homazhet për aktorin e njohur do të zhvillohen nesër në orën 11.00-13.00 në Teatrin Kombëtar.

40 vite karrierë 
Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961-shin. Ndoshta që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua qysh në në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”. Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Shumë e identifikojnë me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori” (“Revizori”), për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”.