Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u shndërrua në një simbol ndërkombëtar të seksit përpara se t’i kthente shpinën kinemasë për t’iu përkushtuar mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Bardot arriti famë botërore me filmin “Dhe Zoti… krijoi gruan” në vitin 1956, me skenar dhe regji të bashkëshortit të saj të atëhershëm, Roger Vadim. Për dy dekada me radhë ajo mishëroi figurën e “seks simbolit”, duke u kthyer në një ikonë të padiskutueshme të kulturës pop dhe kinemasë evropiane.

Në fillim të viteve ’70, ajo njoftoi tërheqjen nga aktrimi dhe u angazhua gjithnjë e më shumë në jetën publike dhe politike, duke u fokusuar kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, kauzë së cilës iu përkushtua deri në fund të jetës.

E lindur në vitin 1934 në Paris, Brigitte Bardot u rrit në një familje të pasur dhe tradicionale katolike. Talenti i saj në kërcim bëri që të pranohej për studime baleti, duke siguruar një vend në Conservatoire de Paris. Paralelisht, ajo punoi si modele dhe në vitin 1950, në moshën vetëm 15-vjeçare, u shfaq në kopertinën e revistës “Elle”.

Karriera në modeling i hapi rrugën drejt kinemasë. Gjatë një audicioni ajo njohu Roger Vadim, me të cilin u martua në vitin 1952, pasi kishte mbushur 18 vjeç. Fillimisht interpretoi role të vogla, por me kalimin e kohës fitoi gjithnjë e më shumë vëmendje. Në vitin 1955, ajo luajti përkrah Dirk Bogarde në filmin “Doctor at Sea”, një sukses i madh në Mbretërinë e Bashkuar, sipas “The Guardian”.

Me karrierën, stilin dhe ndikimin e saj kulturor, Brigitte Bardot mbetet një nga figurat më ikonike të kinemasë franceze dhe botërore.