Një i burgosur shqiptar ka ndërruar jetë këtë pasdite në burgun e Larinos në Itali, dy orë pasi kishte dalë nga spitali Cardarelli në Campobasso.

Shqiptari i moshës 58 vjeç, kishte rezultuar pozitiv disa ditë më parë me Covid, Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ndërroi jetë.

Lajmi u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë, raportojnë mediet italiane.

“I arrestuari vdiq nga arresti kardiak, por kjo rihap çështjen e sigurisë shëndetësore brenda institucioneve dhe mungesën e vëmendjes që qeveria ka treguar”, tha ai, duke shtuar se “shteti italian ka vendosur të administrojë vaksinën AstraZeneca për të paraburgosurit dhe policët”.

Shtetasi shqiptar që humbi jetën në burg ishte rezident prej vitesh në Itali. Në burgjet italiane rreth 15 të dënuar rezultojnë të prekur me Covid-19 në ditët e fundit.