Ka ndërruar jetë një person që ishte shoqëruar në ambientet e paraburgimit në komisariatin e Kukësit.
Viktima i identifikuar si 49-vjeçari Medi Gjuni, mësohet të ketë ndërruar jetë rrugës për në spital.
Policia sqaron se 49-vjeçari është ndjerë keq në paraburgim para se ta dërgonin në spital.
Ai ishte ndaluar pak ditë më parë për dhunë në familje. Policia tha se burri ishte denoncuar nga familja për ushtrim të dhunës gjatë mbrëmjes së 31 dhjetorit, ndërsa ndalimi dhe shoqërimi i tij është bërë më datë 1 janar 2019.
Njoftimi i policisë së Kukësit
Sot, në orët e para të mëngjesit është konstatuar nga personeli i sherbimit në dhomat e paraburgimit shtetasi M.Gj, vjeç 49, banues në Kukës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë është transportuar në spitalin e Kukësit ku më pas ka gjetur vdekjen. Shtetasi M.Gj., është arrestuar më datë 1 janar 2019, për veprën penale "Dhuna në familje", ku ka qenë i dënuar dhe më parë për të njejtën vepër penale. Shtetasi M.Gj. dyshohet se vuan nga sëmundja e epilepsisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe dokumentimin e ngjarjes.





