Një i dënuar ka ndërruar jetë në burgun e Shkodrës të dielën. Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

“Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis)”, bëhet me dije në një njoftim të burgjeve.

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.