Tiranë, 8 mars 2014 – Ish zv/ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme. Mësohet se 49 vjeçari ka mbyllur sytë si pasojë e një ataku kardiak, ndërsa ndodhej në një lokal të qytetit të Prizrenit, në Kosovë. Ferdinand Poni ka qenë në Prizren me ish-kreun e Qarkut te Tiranes,Tasim Mema kur është ndjerë keq. Mema rrëfen çastet e fundit të Ferdinand Ponit. 

“Rrugës për në Prizren nuk shfaqi problem. Ka qenë në humor gjatë gjithë kohës dhe nuk shfaqi asnjë shenjë. Vdekja ishte e menjëhershme. Ndodhi sapo u ulëm në lokal. Më pas erdhi ambulanca, por gjithçka kishte marrë fund. Nuk do doja të jepja unë këtë rast të vdekjes, z Poni e kam pas një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Ai ishte një mik dhe shok i të gjithëve. Ne këtu në Prizren ishim vetëm për disa orë dhe do ktheheshim. Nuk ishte një takim pune, thjesht do takonim disa miq, por fatkeqësisht nuk takuam asnjë. Falenderoj autoritetet që na ndihmuan, autoritetet kosovare. Kam qenë unë që kontaktova direkt me familjarët. 20 vjet shok me z Poni dhe gjej rastin që ti ngushëlloj për këtë humbje”,- thotë ai.  

Aktualisht Poni ishte kreu i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ai është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Drejtësisë në Tiranë.Që prej vitit 1999 është përfshirë në Partinë Demokratike dhe ka mbajtur poste të ndryshme, ku të fundit para zgjedhjeve të 23 qershorit ka mbajtur postin e zv/ministrit të Brendshëm. Në perudhën 1993 deri më 1995 ka qenë ndihmës i kryeministrit për pushtetin lokal. Në 1995-1997, Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme.

Ferdinand Poni njihet si hartues i shumë punimeve në fushën e autonomisë lokale, institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve dhe si bashkëhartues i një sërë ligjesh të rëndësishme. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/