Kantautori i njohur Françesk Radi u nda sot nga jeta në moshën 67- vjeçare.
Prej ditësh ai ishte shtruar në QSUT, pasi kishte pësuar një hemoragji celebrale.
Edhe më herët familjarët e tij kishin deklaruar se ai ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe nuk mbetej gjë tjetër veçse të luteshin për të.
KUSH ËSHTË FRANCESK RADI
Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme.
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.
Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Kantautori Françesk Radi, është një emër i cili tashmë e ka arritur suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku. I njohur me krijimtarinë e tij muzikore që në vitet ’70, ai vijon dhe sot duke prezantuar këngë të cilat vijnë të realizuara me mjeshtëri dhe muzikë të bukur.