TIRANE – Nuk ka mundur tu rezistojë plagëve të rënda shefi i krimeve të Matit, Musa Skura, i plagosur në krye të detyrës më 13 janar. Komisari ndërroi jetë në spitalin "Padre Pio" në Foxhia të Italisë, ku u transferua një javë më parë në gjendje tepër të rëndë, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemorragjisë së brendshme. Lajmi konfirmohet nga familjarët e shefit të krimeve, të cilët bënë të ditur se Skura ndërroi jetë rreth orës 10:30 të mbrëmjes së djeshme.
Vëllai i tij, Avni Skura deklaroi për NEWS24 se deri para dy ditësh mjekët kishin dhënë shpresa se komisari do të jetonte. “Deri pardje kishim shpresa. Ishte në parametra të pranueshme sipas mjekëve”- deklaroi i vëllai.
Sipas tij, shteti bëri të pamundurën për t’i shpëtuar jetën komisarit. Avni Skura bëri të ditur se Policia e Shtetit ka garantuar shpenzimet për kthimin e trupit në Atdhe dhe ceremoninë e varrimit.
Komisari Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale. Në aksion e sipër, disa persona kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu. Për pasojë u plagos me 1 plumb në gjoks dhe 2 të tjerë në trup 57-vjeçari Musa Skura. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej agresorëve, Fitim Alla. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit.
Ndërhyrja e punonjësve të policisë ka qenë e shpejtë dhe është bërë i mundur arrestimi i Fitim Allës, 19 vjeç, banues në fshatin Rripe të Matit dhe Vilson Milkurti, 18 vjeç, banues në fshatin Suç të Matit. Ndërkohë, në afërsi të vendit të ngjarjes janë kapur edhe 2 autorët e tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrjetin kriminal. Të arrestuarit janë Edison Lleshi, 18 vjeç dhe i mituri me inicialet A.Ll., 15 vjeç, që të dy nga fshati Dom i Matit.
Shefi i krimeve të policisë së Matit u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 6 orë dhe më pas u transportua në spitalin e Foxhias në Itali me një avion të posaçëm.
Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Skura kaloi në gjendje kome dhe nuk arriti ta fitonte betejën me vdekjen.
Musa Skura punonte pranë Policisë së Shtetit prej rreth 30 vjetësh. Policia e Shtetit thotë se 57-vjeçari e njihte e dhe organizonte shumë mirë punën që i ishte ngarkuar. Prej gjashtë vjetësh ishte emëruar në pozicionin e shefit të krimeve.
Komisar Skura ka kryer shërbime në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të gjithë e njihnin si një person me personalitet. Ndërkohë, ai është baba i tre djemve, ku më i vogli prej tyre është në klasën e dytë fillore.





