17 nëntor 2014 – Gjendet i vdekur në shtëpinë e tij në Tulon ish-futbollisti i përfaqësuese së Kamerunit Valerie Mezague. 30-vjeçari u gjend pa jetë nga policia franceze dhe lajmi u bë i ditur fillimisht nga e përditshmja vendase “Var-Matin”. Futbolli në Francë është në zi dhe pa një shpjegim të qartë mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë me mesfushorin e Sporting Tulon Var. Kohët e fundit Mezague ishte transferuar në Kategorinë e 4-t të kampionatit francez ku bënte pjesë në radhët e klubit nga Bregu i Kaltër. Më datë 8 dhjetor ky futbollist do të mbushte 31-vjec, megjithatë historia e tij kishte kohë që kishte ndryshuar. Në fillimet e tij Mezague konsiderohej si një ndër mesfushorët më premtues, por një aksident me makinë i ndodhur pothuajse një dekadë më parë influencoi ndjeshëm në jetën e tij. Në vitin 2003 mesfushori i shpëtoi për mrekulli një aksidenti me makinë dhe për pasojë qëndroi 4 muaj jashtë fushave të lojës.
I lindur në Marseille ai u rrit te të rinjtë e Montpellier duke befasuar edhe vetë legjendën e futbollit kamerunas Roger Milla, që e bindi atë të veshë fanellën e përfaqësueses me të cilën zhvilloi 7 ndeshje gjithsej. Mezague tërhoqi gjithashtu edhe vëmendjen e vetë Harry Redknapp që e bindi futbollistin për të luajtur në sezonin 2004-2005 në radhët e Portsmouth-it, në Premier League. Mesfushori qëndroi në Fratton park për vetëm një sezon edhe atë në formë huazimi, pasi nuk e mori më veten kurrë nga ai aksident. Që të gjithë besonin se ky futbollist do të mund të rikthehej në nivelet e dikurshme dhe këtë e konfirmon më së miri edhe transferimi në ekipe të tilla si Sochaux, Le Havre, apo Chateauroux. Në sezonin 2011-12 ai u zhvendos në Greqi ku zhvilloi vetëm 3 takime në radhët e Panetolikos, ndërsa një vit më vonë Mezague u transferua sërish në Angli, për të luajtur në League 2 me klubin e Bury-t. Lajmi bëri xhiron e botës dhe rrethanat mbeten ende për t’u sqaruar sidoqoftë mesazhet e ngushëllimit në adresë të failjes janë të shumta, sidomos nga klubet e ndryshme ku ky futbollist ka kontribuar. Një mesazh të tillë ngushëllimi dërgoi në Tëitter edhe mesfushori ganez i Milanit Michael Essien dhe me dhimbjen e familjes u bashkua gjithashtu edhe e gjithë përfaqësuesja e Kamerunit që shprehu hidhërimin për largimin e parakohshëm nga jeta të Valery Mezague.





