Ka humbur jetën në spitalin e Korinthit Kostas Simitis, ish-kryeministër i Greqisë.

Burime lokale thanë se ish-kryeministri ndodhej në banesën e tij në Ajius Theodhorus kur u ndje keq. Menjëherë u dërgua në spital por nuk mundi të shpëtojë.

Kostas Simitis ishte 88 vjeç. Ai drejtoi greqinë në vitet 1996 -2004 kur pasoi Andreas Papandreu në krye të vendit.

Simitis u bë i njohur për planin e tij reformator në ekonominë greke. Ai hapi siparin e projekteve madhore infrastrukturore të vendit dhe e futi Greqinë në zonën euro çka i mundësoi vendit të kalojë një periudhë stabile ekonomike në një periudhë ndryshimesh të mëdha gjeopolitike.

Simitis ishte kryeministri që lancoi nga Selaniku në vitin 2000 edhe dogmën e integrimit të Ballkanit në BE, duke e kthyer Greqinë për shumë vite në mbështetësin kryesor të këtyre vendeve drejt unionit.