Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës autori i vrasjes së oficerit të policisë, 21-vjeçari Aldi Rama.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditën e djeshme në Lezhë, ku i riu Rama pasi refuzoi kontrollin e policisë qëlloi me armën tip pistoletë TT  oficerin Saimir Hoxha.

Plumbat e goditën në zemër policin, i cili humbi jetën rrugës për në spital. Vrasësi rrëmbeu makinën dhe u përpoq të largohej, disa qindra metra më pas braktisi atë.

Për kapjen e 21-vjeçarit u angazhuan forca të shumta policie ku në ndihmë ishte edhe një helikopter.

Pas disa orësh kërkim, vrasësi është zbuluar dhe ka qëlluar tre herë më armë helikopterin. Duke mos pranuar t’i dorëzohej policisë Aldi Rama ka qëlluar mbi veten. Plumbi i marrë në ballë i kanë shkaktuar dëmtime serioze.

Fillimisht ai u dërgua në spitalin e Lezhës dhe më pas për në spitalin e Traumës në Tiranë ku dhe nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra.