Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçari shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm (1 korrik).
Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.
Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë.
Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.