Tiranë, 5 maj 2014 – Shuhet në moshën 82-vjeçare shkrimtari i njohur Amik Kasoruho, i dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”. Lajmi është konfirmuar nga të afërm të shkrimtarit, të cilët bënë të ditur se Kasoruho ka ndërruar jetë në Tiranë si pasojë e një sëmundjeje në mushkëri.
Amik Kasoruho ka lindur në 1932 në Tiranë. Është autor i disa librave: "Një ankth gjysmëshekullor" (1997), "Çmimi i një ëndrre" botuar në Itali (2000), "Midis qiellit dhe burgut" dhe romanin autobiografik "Ikje nga trilli i perëndive".
Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O'Brian, John Selby etj. Është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin “Eks & Tra” për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999.
Në 2000 ka marrë çmimin "Civitas – Arberia 2000 Calabria" për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve "Katundi Ynë". Shkrimtari i njohur jetonte ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





