Ndërkohë që vëmendja politike është përqendruar te zgjedhjet e 11 majit, qytetarët po përballen me një rritje të vazhdueshme të çmimeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni në muajin prill 2025 arriti në 2,3%, nga 2,1% që ishte një vit më parë. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit, krahasuar me marsin, ishte 0,1%.

Rritja më e madhe është ndikuar nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, që kontribuan me 1,29 pikë përqindje në inflacionin total. Pas tyre vijnë mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0,24 pikë përqindje, ndërsa qiratë, energjia dhe lëndët djegëse kontribuan me 0,22 pikë përqindje.

Çmime më të larta janë regjistruar edhe për pijet alkoolike dhe duhanin (+0,19 pikë përqindje).

Krahasuar me prillin e vitit 2024, grupi “Argëtim dhe kulturë” ka shënuar rritjen më të lartë të çmimeve me 6,3%, i ndjekur nga “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,9%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,8% dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,2%.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e zarzavateve – përfshirë patatet – u rritën me 7,7%, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët me 5,2%, mishi me 3,5% dhe buka e drithërat me 1,4%.