Tiranë, 27 gusht 2014 – Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Altin Qato, doli në një konferencë për shtyp për të deklaruar se kanë nisur arrestimet për ata që ndërtojnë pa leje.
“Strukturat e Policisë së Shtetit në harkun kohor të 48 orëve në shkallë vendi kanë evidentuar 64 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 64 persona, nga të cilët 6 shtetas janë arrestuar në flagrancë, 56 prej tyre janë proceduar dhe ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndaj të gjithë atyre personave, që do të konstatohen se kanë kryer një ndërtim të paligjshëm në tokë publike, shtetërore apo në tokën e tjetrit, do të merret masa e arrestit në flagrancë. Kjo vepër penale përbën krim dhe si e tillë Kodi Penal parashikon dënimin deri në 5 vite burgim. Ndërkohë pranë çdo Salle të Komandimit në strukturat vendore të policisë është administruar një regjistër i veçantë, ku evidentohet çdo informacion për ndërtimet e paligjshme dhe krimet kundër mjedisit, që raportohet nga qytetarët përmes numrit 129. Vetëm gjatë ditës së djeshme pranë Sallave të Komandimit të Drejtorive së Policisë së Qarqeve janë evidentuar 33 telefonata, ku qytetarët kanë sinjalizuar mbi ndërtime të paligjshme në të gjithë vendin” tha Qato.
Mësohet se ndër personat që policia ka arrestuar për ndërtimet pa leje është edhe avokati Sokol Koçiu, i cili u arrestua të mërkurën. Sipas burimeve nga policia, Koçiu po ndërtonte pa leje një godinë në afërsi të Liqenit Artificial.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





