Tirane, 19 gusht 2013– Pas denoncimit të qytetarëve me fotografi dhe vendndodhje për ndërtimet pa leje dhe abuzive.“StopRrënimit”, hiqen fotot e qytetarëve.

Pas publikimit të rreth 40 fotografive, përmes të cilave qytetarët denoncuan ndërtimet pa leje dhe abuzive, në faqen “StopRrënimit.com” janë hequr fotot.  Sapo kishte filluar të ngarkohej me fotografi për të cilat vetë Edi Rama u kishte kërkuar qytetarëve bashkëpunim, faqja e re e internetit u pastrua nga këto denoncime fotografike, të cilat shoqëroheshin me përshkrime të objektit të ndërtuar, pronarit të saj dhe mënyrës abuzive si ai ishte ndërtuar ose ishte në proces. Duket se shkak për heqjen e fotografive janë bërë problemet që janë shfaqur pas bërjes publike në media të funksionimit të kësaj nisme. Në denoncimet e tyre, përveç fotografisë, qytetarët, ashtu siç e kërkonte dhe aplikacioni, shënonin identitetin e tyre të plotë, adresën e e-mail-it, numrin e telefonit dhe bënin dhe një përshkrim të objektit të ndërtuar dhe pronarit të tij. Bërja publike e të dhënave të qytetarëve duket se ka futur në konflikt qytetarët me ata që kanë ndërtuar pa leje apo në mënyrë abuzive. Ky ka qenë dhe shkaku që të gjitha fotot janë hequr nga faqja e re e sapokrijuar përmes së cilës ftoheshin të gjithë të denonconin ndërtimet abuzive. Burime nga PS thanë dje se faqja e internetit do të pësojë disa rregullime për të shmangur bërjen publik të identitetit të qytetarëve që do të postojnë fotot e ndërtimeve. Vetëm 24 orë nga hapja e faqes “StopRrënimit.com”, qytetarë të shumtë postuan rreth 40 fotografi që tregonin pallate, vila, plazhe, shtesa në pallate, lavazhe, lokale  

në Tiranë, Vlorë, Golem, Himarë, Tepelenë të ndërtuara në mënyrë abuzive. Edi Rama aktivizoi dy ditë më parë një faqe interneti, përmes së cilës i fton qytetarët të dokumentojnë me foto dhe video ndërtimet abuzive në bregdet. “Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë, jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori, por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”, shkruante Rama ditën kur lajmëroi hapjen e faqes së re në internet e ku i ftonte qytetarët që ta shikonin këtë si një aksion të përbashkët, e jo vetëm të qeverisë.

/panorama/