Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, në një deklaratë për media, ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), të nisë hetim për pastrimin e parave në kullat e Tiranës.

“Plot 320 kate mbi tokë dhe 44 kate nën tokë do të shtohen në kryeqytet me ndërtimin e këtyre kullave, në shkelje të plotë të Kushtetutës, të ligjit për konsultimin publik që i detyron në këtë rast institucionet shtetërore të krijojnë mundësinë dhe hapësirën për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të të gjitha palëve të interesuara në këtë proces, në shkelje të çdo parimi për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore.

Nisur nga dyshimi i arsyeshëm i korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe i pastrimit të parave në këto kulla, nga kundërshtimi i bazuar i shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, nga paralajmërimet serioze të institucioneve të specializuara, kjo vendimmarrje skandaloze e dyshes Rama-Veliaj meriton t’i nënshtrohet pa vonesë një hetimi të thelluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit”, shprehet ai.

Blushi thotë ndër të tjera se janë investuar rreth 1.6 miliard euro në dy vite, duke e renditur kështu Shqipërinë në listën gri të Monyval.

“Fakti që shumë sektorë jetikë për vendin, si bujqësia, zvogëlohen dhe ndodhen në kushtet e mbijetesës, ndërsa vetëm sektori i ndërtimit pëson rritje stratosferike, është një indikator, që vërteton faktin se këto ndërtime përdoren si një mënyrë e larjes së parave të pista të grupeve kriminale, që sipas institucioneve të specializuara vetëm në Tiranë kanë investuar rreth 1.6 miliard euro në dy vite, duke e renditur jo më kot Shqipërinë në listën gri të MONEYVAL.”, thotë ai.