Ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku ka bërë me dije se afati që kanë kompanitë për tenderin ndërkombëtar të rindërtimit të aeroportit të Vlorës është deri më 12 mars ndërkohë punimet pritet të fillojnë në 31 maj 2020.
Ministrja Balluku tha se ky tender ndërkombëtar kthehet në një patron për të gjitha procedurat e ardhshme dhe se kryeministri Rama mbajti premtimin për jugun, për t’i dhënë një aset të pasur.
“Falënderoj trupën diplomatike në radhë të parë. Kjo është një vepër ndërkombëtare bazuar mbi parimet e transparencës dhe parimet e konkurrencës sa i përket garës për tenderin. Sinergjia mes palëve, bashkëpunimi dhe strategjia e Ministrisë së Turizmit si dhe infrastruktura e siguruara nga Ministria jonë, Bashkia Vlorë janë punë grupi dhe një punë e suksesshme. Kemi punuar deri vonë mbrëmë për të parë detajet dhe për të qenë sot në nivel të lartë prezantimi. Ky tender ndërkombëtar kthehet në një patron për të gjitha procedurat e ardhshme, është pikënisja e strategjisë së zhvillimit të qeverisë. Do të tenderojmë dhe Thumanë-Rrogozhinë shumë shpejt. Aeroporti kërkon dhe një ndërhyrje tjetër, tuneli i Llogorasë në mënyrë që të gjithë pasagjerët të shkojnë shumë shpejt në jug, për një rrugë shumë të shkurtër. Sot çelim zyrtarisht tenderin ndërkombëtar për rindërtimin e Aeroportit të Vlorës. Pesimizmi ka qenë i zëshëm, por sot hidhet hapi i parë. Kryeministri Rama mbajti premtimin për jugun, për t’i dhënë një aset të pasur. Për herë të parë nga Shqipëria do të kemi një linjë transoqeanik, akses të drejtpërdrejt të shqiptarëve apo diasporës me SHBA apo Kanadanë. Tenderimi 35-vjeçar, ndërkohë afati i garës është deri në 12 mars. I kemi lënë një afat të gjatë për mos i vendosur në presion dhe kohë pas festave. Do të jetë një proces transparent dhe me standardet më të larta. Termat dhe kushtet e tenderit do të rrisin shërbimin ajror”, deklaroi Balluku.





