DURRES, 27 prill 2013– Projekti i ndërtimit të portit të ri të peshkimit në Durrës, pas 3 vitesh debatesh dhe diskutimesh, tashmë është në fazën e konkretizimit.

Gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së financimit në Kuvend, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu tha se projekti do të ketë një kosto totale prej 12.1 milionë euro.

Kundërshtitë e ardhura nga pushteti vendor për shkak se vendi ishte parashikuar të kthehej në një port jahtesh dhe jo peshkimi, sipas ministrit, kanë rritur edhe më tej koston e projektit që duhej të ishte finalizuar vite më parë.

Për realizimin e projektit, qeveria shqiptare ka marrë nga Banka islamike një fond prej 7.5 milionë dollarësh.

Projekti parashikon ngritjen e një barriere të ndërtuar me gurë prej 800 metra linearë përballë murit perëndimor të portit, në krahun e shëtitores “Taulantia”.

Porti i ri do të mundësojë ankorimin e më shumë se 100 anijeve të peshkimit ndërsa pritshmëritë janë që të punësohen së paku 750 persona.