Pak ditë pas hapjes së garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, në Fletoren Zyrtare është publikuar edhe vendimi i Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, “DurrësLajm” mëson se formula e shpronësimit për ata që preken nga ndërtimi i portit të ri do të jetë pronë private me tokë shtetërore ose para në dorë.
”Nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet si dhe nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin në natyrë të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit”,-thekson ndër të tjera Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve.
Vendimi i plotë:
NJOFTIMI
Nr. 292/32, datë 30.7.2024
PËR SHPËRBLIMIN NË NATYRË
Ky njoftim iu drejtohet të gjithë pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të ‘Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano’, për mundësinë e kompensimit të pasurisë në pronësi të tyre me shpërblim në natyrë”.
Subjekti kërkues i procedurës së shpronësimit për realizmin e këtij projekti është Autoriteti Portual Durrës.
Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për interes publik, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilat do të shpronësohen me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit, se shpërblimi në natyrë kryhet:
- -nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet;
- -si dhe nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin në natyrë të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit, sipas rasteve të parashikuara në këtë vendim, bazuar në germat “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 3, si dhe në zbatim të pikës 5, të nenit 6, të vendimit nr. 797, datë 28.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rasteve dhe të rregullave për shpërblimin në natyrë të shpronësimeve për interes publik”.
Në zbatim të pikës 4, të nenit 2, të VKM-së nr. 797, datë 28.12.2023, “Për përcaktimin e rasteve dhe të rregullave për shpërblimin në natyrë të shpronësimeve për interes publik”, në çdo rast, shpërblimi në natyrë realizohet vetëm pasi të merret pëlqimi i subjektit që shpronësohet, pëlqimi duhet të jetë unanim nga të gjithë bashkëpronarët të cilët duhet të dakordësojnë midis tyre për shpërblimin në natyrë.
Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrë nga ana e subjektit që do të shpronësohet nuk e pengon vijimin e procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare, të parashikuar sipas shpronësimit klasik, në zbatim të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë prone private për interes publik”, i ndryshuar.
Për sa më sipër, ASHSH-ja informon të gjithë të interesuarit që preken nga zbatimi i projektit të “Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano”, për mundësinë e kompensimit të pasurisë në pronësi të tyre që preket nga shpronësimi për interes publik me shpërblim në natyrë me qëllimin informimin mbi mundësinë për trajtimin me shkëmbim në natyrë, në respektim të parimit të shpërblimit të drejtë, duke garantuar transparencë, barazi, mbrojtjen e interesave dhe të të drejtave të tyre pasurore.
Me shpalljen e njoftimit publik në Fletoren Zyrtare për trajtimin me shkëmbim të pronarëve të pasurive pronë private të cilit do të shpronësohen, në rast se qytetarët shprehin interesin e tyre për
trajtimin me shkëmbim në natyrë, të pasurive në pronësi të tyre, ASHSH-ja vlerëson, se pronarët e pasurive që kërkohen për shpronësim, si dhe personat e tretë të interesuar, të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar bashkëlidhur kërkesës për shpronësim publik nr. 374/9, datë 27.7.2023, të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 111, datë 27.7.2023, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga publikimi i këtij njoftimi kanë të drejtë të depozitojnë kërkesën e tyre për trajtimin me shkëmbim në natyrë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, me qëllim ndjekjen më tej dhe finalizimin e procedurave të shpronësimit, në zbatim të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar, si dhe në zbatim të parashikimeve ligjore të VKM-së nr. 797, datë 28.12.2023, Për përcaktimin e rasteve dhe të rregullave për shpërblimin në natyrë të shpronësimeve për interes publik”.